Edukimi Qytetar – Edukimi për Demokraci

Ky libër u drejtohet, kryesisht studentëve që përgatiten për t’u bërë mësues, por edhe të gjithë mësuesve që punojnë për formimin qytetar demokratik të nxënësve nëpërmjet lëndëve të drejtëpërdrejta të formimit qytetar, si dhe nëpërmjet të gjithë procesit mësimor edukativ në shkollë. Ai lidhet dhe me nevojën e studimit të lëndëve shoqërore dhe edukatës qytetare, të përpunuara në mënyrë të përshtatshme për nxënësit e shkollës së mesme e tetëvjeçare. Jemi në një pozicion tranzicioni, që filloi nga dhjetori ’90 e vazhdon edhe sot. Siç vërehet, nuk kalohet aspak lehtë e në mënyrë të drejtëpërdrejtë në një shoqëri të re dhe as elementët e shoqërisë së vjetër nuk zhduken lehtë. Institucionet e reja dhe strukturat e reja shoqërore, lëvizja e popullsisë, emigrimi e imigrimi, ekonomia e re e tregut, rendi, kushtetuta etj., paraqesin probleme të mëdha në periudhat e tranzicionit. Lidhur me to shkolla, siç vihet në dukje dhe në librin “Edukimi qytetar - “Edukim për demokraci” është institucion misionar në shoqëri dhe hedh themele të strukturuar e të ndërgjegjshëm në formimin qytetar të individit. Ajo përbën një mikromjedis shoqëror më të plotësuar, ku formohen shprehitë e jetës dhe të punës në grup, normat, qëndrimet dhe vlerat qytetare. Pra, si e tillë, ajo është institucioni më i rëndësishëm që përcjell e realizon drejtëpërdrejt synimet e shoqërisë për fomimin qytetar të të rinjve. Ajo duhet të japë parimet bazë të edukimit qytetar të individit në demokraci. Janë pikërisht, lëndët shoqërore e vecanërisht edukimi qytetar që i realizojnë më mirë këto. Ato informojnë, nxitin dhe stërvisin qytetarët potencialë, duke i bërë ata të aftë të jenë kompetentë dhe pjësëmarrës të përgjegjshëm në qeverisjen e vendit. Dhënia e njohurive të sakta mbi demokracinë, idetë demokratike etj, nëpërmjet lëndëve shoqërore në një shoqëri të dalë nga një sistem i tillë edukimi, është tepër e rëndësishme. Ndërkohë që ne ecim në shekullin e XXI, është e qartë se prirjet mbizotëruese shoqërore, ekonomike, kulturore dhe shkencore që kanë karakterizuar botën perëndimore për pesë shekuj po evoluojnë me shpejtësi në drejtime të reja. Në këtë mënyrë , ne mund t’u japim të rinjve një formim bazë akademik solid dhe integrus për të jetuar si në botën e së tashmes dhe në botën e së nesërmes dhe për të përballur ndryshimet që priten.
Në këto aspekte, lëndët shoqërore, njohuritë për shoqërinë, edukata qytetare, programet e tekstet e tyre duhet t’i reflektojnë këto ndryshime nëpërmjet ndryshimit të natyrës së njohurive dhe mënyrës së dhënies për të krijuar një vizion për problemet më domethënëse të njerëzimit.