Emigracioni dhe transformimet sociale. Qytetarët shqiptarë jashtë.

Doriana Metollari: Çfarë do të thotë të jetosh në një botë globale ?
Prof. Dr. Ylli Pango: Në kohën e sotme qytetet e mëdha të vendeve më të zhvilluara e sidomos kryeqytetet e metropolet, karakterizohen nga një multikulturalizëm në rritje. Deri në vitet e fundshekullit të kaluar shtetet, qytetet europiane, shumë homogjene si popullsi, dominoheshin nga zhvillime sociale, kulturore kryesisht nacionale. Ndryshimi filloi të ndodhë sidomos në fillimet e shekullit e 20-te, e duke shpërthyer vrulltaz në fund shekull e vijimësisht në ditët e sotme. Sot nacionalizmi, kultura nacionale, prirjet e këtij lloji sado me shpërthime eruptive në vendet më të pazhvilluara të Europës, (sidomos në Ballkan), paraqiten në vendet më të zhvilluara, më pak të rëndësishme (jo të parëndësishme) se në të shkuarën. Kultura kozmopolitane, multikultura, ushtrojnë gjithnjë e më shumë ndikim në qytetet e mëdha, ku synojnë edhe valët e mëdha të emigrimit. Praktikat e dikurshme të perandorëve, sulltanëve, carëve që krijonin qytete të mëdha i popullonin, shtonin ato, duke deportuar shpesh me forcë masa të mëdha njerëzish, janë zëvendësuar nga prurjet e mëdha të emigracionit masiv të njerëzve të botës më të pazhvilluar, drejt botës më të qytetëruar.

Në këtë kontekst dhe shqiptarët që kanë emigruar, kryesisht në fillimet e vitëeve 90-të, e që emigrojnë edhe sot (më pak) janë bërë pjesë e kësaj lëvizje të madhe emigratore. Të jetosh në këto realitete të reja, të adaptohesh me këto kultura të zhvilluara a qytetërime të konsoliduara, është domosdoshmëri pa dyshim të përshtatesh, t’i njohësh ato kultura, gjuhë, zakone, t’iu bëhesh pjesë ritmeve të shpejta, kompetitive e dinamike të jetës moderne atje. Në këtë aspekt shqiptarët kanë treguar vitalitet të jashtëzakonshëm, aftësi e energji të shpërthyera edhe si rrjedhojë e ndrydhjes së gjatë 45 vjeçare nën diktaturë (kundërefekt i komprimimit të gjatë) por edhe si pasqyrim i faktit që janë një popullsi e re me rreth 60% të popullsisë nën 30 vjeç.

Adaptimi është psikologjik dhe sociokulturor. Ai varet nga shumë faktorë por sidomos nga motivi i emigrimit, raporti midis atyre aspekteve të jetës (ekonomik, kulturor, arsimor, zakonor etj), që janë fituar e atyre që janë humbur, identiteti kulturor, personaliteti etj. Ky adaptimi vjen edhe si kombinim i ndryshimeve kulturore si rrjedhim i kontakteve me vendasit. Për shqiptarët ky kombinim ka funksionuar kryesisht si marrje, thithje, asimilim. 

Ende nuk jemi në stadin e diasporave të forta që imponojnë ndikimet e tyre kulturore në vendet e emigrimit, edhe si pjesë mozaiku e kulturave të mëdha. Në raste të tilla diasporash të fuqishme, gara ndëretnike dhe proçesi i zhvillimit të identitetit etnik zenë vend me rëndësi. Emigrantët e rinj mjaft të motivuar për të ecur përpara paraqiten agresivë për suksesin në punë e në shkollë. Ata ruajnë njëkohësisht identitetin etnik por zhvillojnë dhe lidhje të forta solidariteti e grupimesh sociale. Shqiptarët deri vitet e fundit pothuaj nuk ishin të organizuar në këtë aspekt. Për të mos folur vetëm për lidhjet e botës së krimit.

Nga ana tjetër nuk duhet harruar se gjatë proçesit të përshtatjes, ka asimilim, por ka edhe marginalizim. Ky është një problem sa psikologjik e i vuajtshëm sidomos për shqiptarët në fillimet e emigrimit të tyre, aq dhe kulturor e me pasoja ekonomike për familjet e tyre. Shumë syresh kanë punuar e punojnë në punë të rëndomta ndonëse me formim universitar dhe kjo e ka rritur më tej marxhinalizimin. Megjithatë nuk duhet harruar se fillimi i çdo emigracioni për cilindo komb ka qenë i vështirë dhe pothuaj të gjithë i kanë vuajtur këto pasoja. 

Më pas natyrisht kur fitohet beteja e integrimit, qoftë edhe në brezin tjetër, jeta edhe atje bëhet veçanërisht më e bukur e interesante. Adaptimi varet në një masë të madhe nga mosha. Emigrimi e adaptimi i filluar në mosha shumë të vogla, janë më të lehtë, shumë më të lehtë. Për moshat nga shkollat e mesme e sipër adaptimi është shumë më i vështirë se edhe rrënjët e filizat e kujtimeve, zakoneve, lidhjeve, emocioneve, gjithshkaje janë të gjalla e tepër prezente. Adaptim të plotë për emigrantët që e nisin emigrimin relativisht vonë, në këto mosha, mendoj se nuk ka kurrë. 

Dy vëllezërit Sala nga Tirana, që emigruan me familjen në SHBA në vitin 1995, përfaqësojnë një shembull tipik. Ata kanë ndjekur rrugë krejt të ndryshme në jetë dhe do të përfundojnë kështu. I pari edhe kur vjen për ndonjë vizitë të shkurtër me prindërit në Tiranë, ndjehet si huaj, nuk ndjen afeksion, ka humbur çdo lidhje, mbyllet brenda pjesën më të madhe të kohës, dhe pret me padurim kthimin në Amerikë. I dyti pasi mbaroi studimet në SBBA, u kthye në atdhe, është punësuar në një institucion, është stabilizuar atje dhe nuk mendon të kthehet më kurrë në Amerikë. Kur familja e tyre emigroi i pari ishte 8 vjeç e i dyti 18-të.

Variablet e emigrimit e adaptimit, lidhen dhe me faktorë personalë. Ka njerëz që adaptohen shpejt, ka që vuajnë gjatë nga e ashtuquajtura homesickness (sëmundja e shtëpisë), çrregullim i njohur në psikologji. Por ka dhe faktorë situacionalë Në rastin e emigrantëve shqiptarë të Italisë përshtatja ishte tejet e shpejtë sepse faktori situacional i fqinjësisë, njohjes së Italisë nëpërmjet televizionit, gjuhës e kulturës italiane, e bënte më të shpejtë integrimin. Modelet televizive kanë ndikuar shumë në këtë rast. 

Doriana Metollari: A janë në gjëndje të integrohen qytetarët që jetojnë jashtë pa asimiluar kulturën e huaj ?

Prof. Dr. Ylli Pango: Këtu është fjala për integrim në kuptimin e kompeticionit, garës për të zënë vend në proçesin e zhvillimit dhe për të jetuar sa më mirë. Ata, emigrantët tanë atje, pa dyshim duhet të asimilojnë jo pak por proçesi është njëkohësisht edhe i anasjelltë. A asimilohen ata vetë apo bëjnë progres duke ruajtur karakteristika etnike, të grupit a etnisë, kombit a vendit nga vinë. 

Emigrantët e vendeve me emigracion masiv, të hershëm, të konsoliduar, kanë ruajtur mjaft nga kultura e identiteti i tyre në vendet e emigrimit, duke jetuar në grup atje. Kështu ka ndodhur me emigracionin europian të deri viteve 60 (këtu përfshihen grekët, italianët, portugezët, e më vonë edhe turqit), 

Emigrantët turq në Gjermani, për shembull, kanë jetuar në grupe a grupime të mëdha ku përsëri flitej vetëm gjuha amtare e ku kultura bazë zotëruese ishte ajo kombëtare. Kjo disa herë edhe për shkak të nivelit të ulët të disave syresh ardhur nga provinca të largëta të Anadollit. Ndërkohë ruajtja e identitetit kulturor kombëtar, sidomos në radhët e emigrantëve të Amerikës është gati normë e dicka dalluese. Shembuj ekstremalë janë ato të kinezëve që jetojnë në Chinatoën, brenda qyteteve të mëdha amerikane si Neë York dhe vdesin pa mësuar as edhe një fjalë anglisht.

Doriana Metollari: Po shqiptarët ? 

Prof. Dr. Ylli Pango: Mendoj se ne ende nuk kemi fuqinë e diasporave klasike, të fuqishme, që imponojnë elementë të kulturës së tyre në kulturën e vendit ku shkojnë. Aq më pak ndikuese madje edhe në politikat e qeverive të vendeve ku kanë emigruar, për të mirë të vendeve të tyre (të tillë janë grekët në USA, ku kandidati për president apo senator nuk mund të mos marrë parasysh interesat e lobeve të mëdha të diasporës greke).

Pra ajo që do të ishte më e mira për emigrantët tanë që nuk do të kthehen, është që vec asimilimit të kulturës së huaj, që për mendimin tim e kanë gati gati aftësi mimetizuese, te fillonin edhe procesin e organizimit te nje diaspore gjithnje e me te fuqishme e me solide. Në raste të tjera kjo paraqitet, sidomos në aspektin e gjuhës, pak qesharake. Kam parasysh nënat shqiptaro-italiana në tragete që i thërrasin e u flasin fëmijëve me një italishte të dobët me aksent shqiptar, të rinj me nivel të ulët arsimor e kulturor, a nëna a baballarë shqiptaro-amerikanë, që fshehin identitetin e tyre shqiptar nëpërmjet një anglishteje të calë, a demonstrojnë nga vinë nëpërmjet futjes gjoja vetvetiu të fjalëve anglisht, në mes të bisedës në shqip).

Në përgjigje të pyetjes tuaj, emigrantët edhe mund të jetojnë pa asimiluar a duke asimiuar minimalisht kulturën e atjeshme, por ky nuk do të ishte integrim. Kjo mund të funksionojë vec në botën e krimit, në jetesën në formë vegjetative a në izolimin e emigrantëve në zona etnike ku ndërtohen vec mes tyre ose thjesht fizikisht pa asnjë kontribut jo më për vendin e emigrimkit, por as për veten a familjen e tyre. Asimilimi i kulturës së vendit ku jetohet është i domosdoshëm nëse kërkohet një rol qoftë edhe në dobi të familjes së vet, në jetën sociale a së paku një integrim i plotë i pasardhësve. Shembujt e kundërt si ata të kinezëve në Chinatoën-e, janë modele të paimitueshme nga diasporat e pakta në numër shqiptare e maksimumi mund të shfaqen vec me kohë të pjesëshme në bashkëjetesa dëfrimi të bashkatdhetarëve tanë në kafene a restorante shqiptare a kosovare në USA, Zvicër a vende të tjeraetj.

Rasti i kundërt ekstremal është ai i emigrantëve shqiptarë që shkëputen që në fillim totalisht nga bashkatdhetarët e tyre emigrantë për të arritur një vetasimilim, integrim, përshtatje sa më të shpejtë e të plotë në kulturën e vendit të emigrimit. Këta kanë bindjen se kontaktet me bashkatdhetarë janë të dëmshme për integrimin e shpejtë e efikas në jetën e vendit ku jetojnë. Gjithsesi të gjithë ata që vendosin të jetojnë atje përgjithnjë, duhet herët a vonë ta asimilojnë atë kulturë.

Doriana Metollari: Fenomeni i mimetizimit. A është drejt rënies apo rritjes (për ata që jetojnë kryesisht jashtë) ?

Prof. Dr. Ylli Pango: Është fjala pa dyshim për një kuptim metaforik të shfaqjes së këtij fenomeni tek njerëzit. Pasi siç dihet, mimetizimi shfaqet kryesisht tek disa kafshë e më rrallë tek disa bimë. Nganjëherë, për vetë kuptimin e tij, ky fenomen paraqitet por në formë përgjithësisht qesharake tek njeriu, natyrisht nëse e shohim të tillë figurativisht. Kjo sidomos, kur nivelet kulturore e arsimore të njerëzve që e mishërojnë këtë fenomen janë të ulta. Në këto raste ky quasi-mimetizim po e quajmë, është një imitim i verbër formal, i sipërfaqshëm e pa vlera të vërteta integruese. 

Këtu duhet bërë edhe dallimi a ngjashmëria midis adaptimit gati mimetizues të disa shqiptarëve që tentojnë të integrohen sa më shpejt por thjesht formalisht e në mënyrë sipërfaqësore dhe mimetizimit, i cili në çdo rast paraqitet si një tipar (i shtazëve e më rrallë i bimëve) për të arritur ngjasimin e përkohshëm a të plotë me ngjyrat a me strukturën e mjedisit rrethues fizik e biologjik. Qëllimi final tek bota shtazore a bimore, është mbrojtës, ofensiv ose pa qëllim të dukshëm. Por jo rrallë duke e parë edhe formalisht kështu, ky cilësim figurativ ndjek pak a shumë këto qëllime për njerëzit, e merr madje përmasa të cuditshme e sic e thamë deri qesharake. Kur kjo bëhet pa hyrë mirë në thelb të kulturës, gjuhës, traditës vendase, pra bëhet sipërfaqësisht thjesht për të ngjasuar sa më shpejt me vendasit, për tu asimiluar sa më shpejt, e për të shpëtuar nga kompleksi i inferioriteit, (qëllimi mbrojtës tek kafsha) për mburrje karshi bashkatdhetarëve, për të arritur suksesin e cekët të castit, por edhe për shkak mbivlerësimi maksimal të superioritetit të kulturave të vendeve ku emigrohet.

Në këto raste njeriu riprodhon pothuaj në mënyrë të pandërgjegjshme sjelljet, gjuhën, idetë e mjedisit rrethues ose të një njeriu që do t’i ngjasojë, por duke mos i njohur mirë e thellë ato mbetet në nivele të cekta që u del shpesh boja. Në rastet e përgjithshme, jo vetëm të emigrantëve, ai mundet fjala vjen të identifikohet me një model, aktor, fëmija me të rriturin, me klasën, grupin, kombin e madh a të kulturuar. Dëgjoni si impostohen e këndojnë këngëtarët e vegjël të konsideruar “gjeni të vegjël” në koncerte a konkurse. Në zë, në pozë. Ata ndjehen si Ray Charles, Witney Huston,etj., aspak më poshtë. Në interpretim ata shkërbejnë aq bukur këngëtarë të njohur duke harruar a duke mos ju a thënë askush se imitimi, gati gati mimetizimi zanor, sado të përsosur si të tillë, mbeten vec imitime dhe se vlera e të mëdhenjve është origjinaliteti. Ky tek këta quasi-mimetizues humbet krejt brenda këtyre proceseve,mimetizimit, impostimit etj.

Tek ne kylloj quasi-mimetizim është bërë për do kohë gati gati tipar kombëtar edhe si rrjedhim i inferioritetit të krijuar nga diktatura, dëshira për të imituar të bukurën a të përsosurën e vendeve të zhvilluara europiane ashtu siç serviret ajo në televizione, si reagim karshi përbuzjes a imazhit të keq krijuar në botë për ne si rrjedhim i komportimit negativ të një pjese të emigrantëve tanë në Europë, në fillim vitet 90-të. Por nga ana tjetër mimetizimi, gjithnjë në sensin metaforik të fjalës, paraqitet edhe si efekt i kundërt i kompleksit të inferioritetit, rrjedhur nga dëshira për lavdi, mitomania, a grandomania. I vogli e vuan aq gjatë të qënurit I tillë sa kur I shfaqet mundësia synon të bëjë kërcime të paimagjinueshme, të cilat shpesh krijojnë efekt të kundërt.

Në aspektim e integrimit, adaptimit e përshtatjes në botën më të zhvilluar, për mua modeli më i mirë është ai multikulturor i Sh.B.A. i cili lejon adaptimin dhe ruajtjen e vlerave kulturore etnike duke i përfshirë e konsideruar edhe ato vlera për kulturën nacionale amerikane a ndryshe pjesë të mozaikut multikulturor. Them se tek shqiptarët, kur të krijohet,nëse do të krijohet ndonjëherë një diasporë e konsoliduar, do të shkojmë drejt rënies a zhdukjes së këtij fenomeni quazi-mimetizimi...Por kjo rënie do të vijë ndofta më shpejt edhe për shkak të fenomenit të globalizimit, kozmopolitizimit, progresit teknologjik a edhe përshtatjes gjithnjë e më të madhe e më të shpejtë edhe të të rinjve tanë në botën e integruar të

Doriana Metollari: Çfarë ndodh në momentin kur një emigrant që ka jetuar për disa vite shumë vite jashtë kthehet në Shqipëri ? Ka patur raste psh dhe të vetëvrasjes për shkak të depresionti dhe përplasjes së dy mirëqënieve të ndryshme. Shumëkush nuk e ka ndjerë më veten, as shqiptar dhe as i huaj. Cila është mënyra më e mirë e përballjes së realitetit të ri (ku ndodhen) ?

Prof. Dr. Ylli Pango: Ky është një rast shumë interesant nga pikëpamja psikologjke. Nuk mendoj se vetëvrasja është tipike për të rikthyerit, por streset, problemet, zhgënjimet, lëkundjet midis kthimit përsëri atje dhe riadaptimit në vendin e vet, janë të panumërta dhe i kam hasur shpesh tek mjaft të njohur të mi emigrantë. Ky fenomen lidhet me atë çka përmendëm më sipër: motivet e emigrimit, raportin midis asaj që është fituar në emigrim e asaj që është humbur, me identitetin kulturor, personalitetin e individit, aftësitë e tij për t’i pranuar me sinqeritet vetes cfarë ndodh me të e veten e vet, a është i kënaqur vërtet atje apo këtu, apo ku ndjehet më mirë. A ndjehet vërtet më mirë a bën sikur ndjehet duke vazhduar tu dërgojë miqve a të afërmve në atdhe, si në fillim emigrimet e viteve 90, foto pranë makinave luksoze e buzëqeshje të sforcuara edhe kur jeton në apartamente 20-30 metra katror me 4 a 5 anëtarë të familjes. Njeriu në momente të tilla lëkundjesh të mëdha decizive për jetën, duhet të dijë të lexojë veten, ndjenjat e emocionet e veta, t’i njohë ato e gjithshka që lidhet jo veç me mirëqënien por edhe me psikologjinë e vet e të familjes së vet. "Njih vetveten, sekreti i lumturisë", thoshte orakulli i Delfit. Shpesh nuk e bëjmë a nuk dimë ta bëjmë këtë.

Lidhur me raportin ndërmjet asaj që fitohet e asaj që humbitet në emigracion a që shpesh ndikon në kthimin prej tij, është tipik fitimi i një lloj mirëqënie materiale (në përgjithësi) nga njera anë, por dhe humbja e kontakteve sociale, kafes “orientale”, raporteve sociale, protagonizmit, nga ana tjetër. 

Mjeshtri I njohur i sporteve Kreshnik Tartari, i suksesshëm edhe në San Marino ku emigroi vite më parë dhe ku e nxorri ekipin e atjeshëm kampion të minishteteve të Europës. Më thoshte tek kthehej me target përfundimisht në atdhe, pas një emigrimi disavjeçar: ”Isha mirë, shumë mirë, atje..por mungonte diçka,...protagonizmi”. 

Dhe ky është shpesh aq i dëshiruar nga shqiptarët. Madje edhe nga njerëz që nuk përfaqësojnë personalitete të spikatur.. Po kështu malli për zakone të tjera orientale të tipit muhabet, thashethem etj., aq të munguara në kulturat e zhvilluara oksidentale, sado çudi por është tipik për një pjesë të madhe të emigrantëve. Në përgjithësi gjithsesi kthimi nga emigracioni, është ashtu si edhe fillimet e tij (nganjëherë edhe më gjatë), përsëri stres kulturor, moment pavendosmërie e sidomos për personalitetet e paqëndrueshëm është shkak vuajtjesh a dilemash. 

Miku im Leandër, emigrant prej 12 vjetësh në Angli, më pyet shpesh kur vjen se ç’duhet të bëjë, të kthehet a të vazhdojë të jetojë atje. Dhe vazhdon ta bëjë këtë peshim prej vitesh. Dilemë e vështirë.

Kthimi në atdhe ka me vete edhe përballjen me cinizmin e disa jo mikpritësve: (“E u kthyet, nuk qullosët gjë andej”), pamundësinë për të gjetur punë, pse jo edhe ndjesinë e të mbeturit pas e të pamundësisë së riadaptimit, me fëmijët, me punën, familjen etj.,sepse edhe këtu ndryshim i në 23 vjet është jo i vogël. Këtu dilema bëhet edhe më hamletiane, siç keni pasur ju rastin ta njihni ndofta përderia përmendni në pyetje edhe shembuj vetvrasje: Dilema e tipit ”të rrosh a të mos rrosh” apo “këtu apo atje e nganjëherë me si përfundim, “as këtu e as atje” mund të sjellë vërtet kriza të rënda shpirtërore.

Në aspektin tjetër, pa dyshim që edhe marrja e qytetarisë së një vendi tjetër nuk është e mjaftueshme. Ka mjaft emigrantë që kthehen duke u kënaqur që së paku sekonsiderohen qytetarë të dorës së parë (formalisht) e mund të lëvizin lirisht(edhe kjo kënaqësi e reduktuar pas fillimkit të lëvizjen së lirë të shqiptarëve). Ajo jep kënaqësi në fillim por pastaj rikthen në inferioritet, sidomos moshat jo të vogla.

Miku im Edgar, ish sportist i njohur, me një gjermanishte të mirë e me shtetësi tashmë të fituar, udhëtonte me tren nëpër Gjermani. Ulur përballë tij një femër simpatike shpreh interes dhe nis bisedën. Burri shtatlartë e shpatull gjerë, me trup sportisit, portet të skalitur e zë mashkullor e bën më tërheqëse bisedën. Pastaj diçka në aksent tërheq vëmëndjen dhe gruaja e re pyet: ”Nga jeni si origjinë”. “Shqiptar“ rrëfehet miku im Edgar....dhe më pas.... Ja si e përshkruan vetë ai reagimin e saj: ”Ajo heshti...u kthye ngadalë, lehtas, pothuaj si në kinogramë nga dritaja, filloi të sodisë natyrën, dhe më pas nuk mu drejtua më…”

Përballja me riktimin, është jo e lehtë por njeriu merr një vendim. Peshon pro-të dhe kundrat. Analizon përfitimet, pritmëritë sa janë realizuar. Në mjaft raste, kur njeriu vendos të rrijë në emigracion me buzë të plasur, sic thuhet, ngushëllimi kryesor mbetet: ”Sakrifikuam për fëmijët”. Nuk jam dakord. Pa dyshim fëmija është më se i rëndësishëm. Por i aftë është ai që arrin të bëjë jetën e vet dhe atë të fëmijës. Këtu ose atje. Aty ku ja del më mirë. Por pa hedhur poshtë veten. Jeta e askujt nuk është e tepërt për tu sakfifikuar duke ngrënë bukën e huaj. Bukën e hidhur të mërgimit, sic thoshte Anatol Fransi. E kishte fjalën për hidhtësinë që kapërdihet cdo ditë në shpirt e zemër nga emigranti i paadaptuar,

Doriana Metollari: A duhet të ketë politika të reja dhe më intensive në integrimin e emigrantëve në Shqipëri ?

Prof. Dr. Ylli Pango: Të të rikthyereve? Pa tjetër. Por ata e problemet e tyre, ende për mendimin tim nuk janë rilevuar si problem social. Jo më nga shteti por as nga psiokologë a sociologë, punonjës socialë a OJQ. Veç nëmos në rastin e të riktherve për shkak të krizës greke. Mesa di unë ata ende punësohen atjye në mënyrë sezonale. Por nëse imigrimi i tyre do të ishte mjaft masiv dhe ata do të ishin krejt pa të ardhura, do të kishim të bënim me problem të madh social. Po kështu kulturor e psikologjik. Ndofta ende ata jetojnë me një pjesë të të ardhurave të fituara atje. Apo të invstimeve të vogla realizuar këtu me paratë e fituara atje. Unë mendoj se kontributi i tyre me remitancat (veç përfitimeve personale) ka qenë kaq deciziv për ekonominë tonë, saqë e meritojnë të trajtohen me respekt e humnizëm. 

Doriana Metollari: Qytetarët tanë brenda përballen me një dëshirë të madhe për modernizim dhe një mungesë vullneti për ndryshim social. Çfarë hendeku krijon kjo ?

Prof. Dr. Ylli Pango: Dëshira për modernizim, jetë shumë më të mirë, mirëqënie, pse jo luks, zë fill e është brenda nesh hershëm, duke e nisur udhën e saj në vitet e magjepsjes përpara ekraneve të RAI-t e duke arritur kulmin e shpresës për realizimin e vet, në emigrimin masiv drejt perëndimit në fillimin e viteve 90. Me ëndrrën e madhe të pasurimit të menjëhershëm e të jetës pa andralla. Si pasojë pra e asaj që shihnim në ekrane po edhe si rrjedhojë e mentalitetit të jetës së bukur pa punë e pa lodhje, fituar ashtu qyl, sic mendohej se të falej në perëndim. Por edhe si rrjedhojë e mentalitetit të rehatit trashëguar nga Turqia e dikurshme (ku e ku me të sotmen në sensin e modernizimit e europianizimit). 

Ky kombinim ngriti shumë ëndrra tek shqiptarët e pas një kohe jo të gjatë në emigrim, përmbysi po aq të tilla pothuaj, duke lënë me gisht në gojë majft njerëz. Piramidat ishin disa prej pasojave më të rënda a reflektimeve më iluzore të këtyre ëndrrave e i shembjes së tyre. Kjo ndodhi brenda vendit por beri që mjaft të humbur të riemigronin pasi humbën gjithë kursimet e emigrimit të parë.

Ndërkohë mungesa e vullnetit për ndryshim social, se lidhet më shumë mendoj, me paaftësinë e mungesën e kulturës, informacionit e traditës për ta kërkuar këtë ndryshim. Lidhet me mungesën e një të kaluare demokratike e të kulturës qytetare e demokratike kultivuar që në fëmini, për të luftuar e për ta arritur këtë. Lidhet me mosnjohjen e historisë së zhvillimeve demokratike, sociale e e bumeve ekonomike në vendet më të zhvilluara dhe mënyrës se si janë arritur këto atje. Dhe për t’i pasur pastaj si model për të ecur përpara e për të bërë ndryshime më të mëdha vetë ose duke i nxitur ato. Kjo është esenca apo arsyeja thelbësore e ekzistencës së këtij hendeku, mendoj.